Kryetari Veseli: Të rikthehet vëmendja e shtetit në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në “Ditën Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit”, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në këtë fushë, duke u radhitur ndër 30 shtetet me mbulueshmërinë më të madhe të internetit në botë.

Z. Veseli ka cekur se PDK si asnjë parti tjetër, ka mbështetur këtë fushë, duke krijuar Ministrinë e Inovacionit dhe ndërmarrësisë, sektor premtues për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ai ka kërkuar të rikthehet vëmendja e shtetit për të mbështetur lulëzimin e mëtejshëm të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë.

Ja postimi i z. Veseli në fb:

Sot shënohet “Dita Botërore e Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit”, e përcaktuar prej OKB-së, për të ngritur vetëdijen lidhur me mundësitë dhe dobitë që sjell në shoqëri dhe ekonomi përdorimi i internetit dhe teknologjive të tjera të informacionit dhe komunikimit. Kosova ka arsye për t’u krenuar sepse rezultatet e “Anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2019” të bërë nga ASK-ja, tregojnë se 93.2 për qind e familjeve kanë qasje në internet. Me këtë përmasë, ne radhitemi ndër 30 shtetet që kanë mbulimin më të madh të internetit në botë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur si asnjë parti tjetër këtë fushë, prandaj, duke ndjekur modelin e vendeve të tjera evropiane si Suedia, Italia, Belgjika, Hungaria apo Rumania, vendosëm që të krijonim Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ky është sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe për hapje të vendeve të reja të punës që paguhen mirë. Për këtë arsye, unë besoj se një ndër gabimet më të mëdha që ka bërë qeveria në ikje, ka qenë shuarja e kësaj ministrie.

Të rinjtë e talentuar të Kosovës, tashmë, kanë krijuar kompani të kësaj fushe duke konkurruar me sukses në nivel global apo duke iu ofruar shërbime e produkte kompanive të tjera më prestigjioze e vendeve më të zhvilluara. Prandaj, ne, duhet ta rikthejmë këtë ministri dhe ta rikthejmë vëmendjen e shtetit për të mbështetur lulëzimin e mëtejshëm të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë.

1+