Kryetari Veseli: Qeveria u vonua me ndihmën ndaj sektorit privat të prekur nga pandemia

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesat për t’i dalë në ndihmë bizneseve në sektorin privat që janë prekur nga pandemia COVID-19.

Z. Veseli këto kritika i bëri gjatë një vizite që i bëri disa bizneseve në Prizren për të cilat tha se janë në gjendje të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë.

“Sot vizitova disa biznese në Prizren, ‘Buraki’, ‘Prizren Commerce’ dhe ‘Fe Plast’, të cilat janë prekur nga pandemia dhe gjendja e rëndë ekonomike. Megjithë përpjekjet e këtyre ndërmarrësve, situata për menaxhimin e mirë të bizneseve të tyre po bëhet e pamundur. Qeveria tashmë është vonë me ndihmat e saj për sektorin privat në Kosovë”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, ka pasur shumë mundësi dhe propozime konkrete nga PDK-ja për ta përballuar më mirë këtë gjendje.

“Qeveria ka vendosur që të mos bëjë asgjë derisa mijëra punëtorë të sektorit privat po luftojnë çdo ditë që të mbajnë punën dhe të sigurojnë mirëqenie për familjet e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në mbështetje të punëtorëve dhe ndërmarrësve kudo. Çdo vonesë e mëtutjeshme e përkrahjes nga Qeveria është fatale për sektorin privat dhe ekonominë kosovare”, ka shkruar Veseli pas vizitës në bizneset e Prizrenit.

0