Kryetari Veseli: Përkrahja për Bajgorën, do të krijonte simbiozën e bujqësisë dhe turizmit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka vizituar Vesekovcin, vendin ku më 30.6.1912, Isa Boletini organizoi Kuvendin e Kurillovës, me pjesëmarrjen e qindra luftëtarëve shaljanë e llapjanë dhe ka bërë një shëtitje në Bjeshkët e Shalës së Bajgorës, ku për fat të keq, hasen shumë fshatra të braktisura, shumë ara janë djerrë dhe kullotat me shumë pak bagëti.

Z. Veseli ka shkruar se bujqësia e zonave kodrinore, malore, zhvillohet në kushte familjare dhe mban gjallë traditën shekullore shqiptare, prandaj, duke e mbështetur, ne bëjmë edhe një akt patriotik sepse inkurajojmë promovimin e vlerave të traditës historike që bartin këto zona.

Po ashtu, ka cekur z. Veseli, bukuria e rrallë natyrore, flora dhe fauna e pasur, objektet e shumta kulturore dhe historike, traditat, folklori dhe çka është më e rëndësishme, mikpritja e banorëve të Shalës së Bajgorees, garantojnë kushte shumë të volitshme për të zhvilluar turizmin rural.

Ja postimi i z. Veseli në fb:

Pas vizitës në Parkun e Erës, me bashkëluftëtarin tim, Rafet Ibishi, bëra një shëtitje në Bjeshkët e Shalës së Bajgorës. Shkova edhe për të vizituar majën e Vesekovcit, ku më 30 qershor të vitit 1912, Isa Boletini organizoi Kuvendin e Kurillovës, me pjesëmarrjen e qindra luftëtarëve shaljanë e llapjanë.

Me keqardhje, pashë që shumë fshatra ishin braktisur, shumë ara ishin djerrë dhe nëpër kullota kishte shumë pak bagëti. Shteti duhet të investojë më shumë në zonat kodrinore, malore të Kosovës, sepse, ato janë më të anashkaluara për shkak të relievit, përmasave dhe cilësisë së tokës së punueshme, mangësive në infrastrukturë si dhe distancës së madhe prej tregjeve. Nëse i kushtohet më shumë vëmendje këtyre zonave, jo vetëm sigurohet burim i qëndrueshëm i të ardhurave për ata fermerët që ende jetojnë në to, por, mund të nxitet edhe rikthimi i atyre që janë larguar.

Duhet theksuar se bujqësia e zonave kodrinore, malore, zhvillohet në kushte familjare dhe mban gjallë traditën shekullore shqiptare, prandaj, duke e mbështetur, ne bëjmë edhe një akt patriotik sepse inkurajojmë promovimin e vlerave të traditës historike që bartin këto zona. Po ashtu, bukuria e rrallë natyrore, flora dhe fauna e pasur, objektet e shumta kulturore dhe historike, traditat, folklori dhe çka është më e rëndësishme, mikpritja e banorëve të zonës, garantojnë kushte shumë të volitshme për të zhvilluar turizmin rural.

Prandaj duke përkrahur fermerët e zonave kodrinore, malore, ne njëherazi përkrahim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, duke krijuar këtë simbiozë të suksesshme mes bujqësisë dhe turizmit.

0