Kryetari Veseli niset drejt Hagës: Krenar që isha pjesë e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është nisur sot drejt Hagës ku do të intervistohet nga Gjykata Speciale. Kryetari Veseli para mediave ka thënë se Gjykata Speciale është një sfidë përballë krimeve makabre serbe. “Tani jam duke udhëtuar për në Hagë me ftesë të Dhomave të Specializuara, jam i ftuar për intervistim.

Gjykata Speciale është sfidë përballë krimeve makabre serbe, por të njëjtën kohë është edhe një moment ndërkombëtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës e të popullit tonë, luftës së ushtrisë tonë”, ka thënë ai. Kryetari Veseli ka thënë se çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasur fatin t’i shërbejë atdheut të vet. “Edhe unë jam shumë krenar dhe e falënderoj Zotin për këtë. Dua ta them se me asnjë gjë nuk e ndërroj atë pjesë të jetës sime krenare.

Historia e UÇK-së, është historia e popullit tonë për liri dhe pavarësi”, ka thënë ai. Kryetari Veseli ishte paraparë të intervistohej më 4 dhjetor, mirëpo intervistimi ishte shtyrë për 10 dhjetor për shkaqe teknike.

0