Kryetari Veseli: Nga Prizreni e Vlora, në Skenderaj për shtet të dinjitetshëm

Skenderaj, 18 qershor – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka mbledhur Kryesinë Qendrore të PDK-së në qytetin e Skenderajt për nder të ditës së çlirimit të vendlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, nga ku shpalosi vizionin e ri të partisë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Lideri i PDK-së tha se në kohë globale pandemie, partitë që mashtruan qytetarët në zgjedhjet e fundit, i harruan qytetarët dhe ndërmarrësit dhe u morën me teket dhe interesat evtyre personale për pushtet.

“Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mospunë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve. E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptareve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pa kompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin ne OKB: Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën!”, tha Veseli.

Ai tha se qytetarët po i kuptojnë këto kurthe të partive që i mashtruan dhe po i demaskojnë çdo ditë ato.

“Nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit. Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mund të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe! Duhet punë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përgjegjësi për të çuar përpara amanetin e tribunëve të kombit tonë.
Si PDK, jemi të përkushtuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe vetëm për të. Por, edhe mund të flasim për secilën punë dhe ngjarje edhe të së djeshmes”, tha Veseli.


Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Sot gjendem këtu, në truallin e betejave dhe lirisë, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Skenderajt.

Jemi në vendin ku filloj dhe përfundoj kapitullimi i Serbisë, në tokën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, të Ahmet Delisë, Shaban Polluzhës e Hasan Prishtinës.

Ky vend gjithmonë i dha Kosovës dinjitetin e krenarinë, por edhe shpresën për brezat që do të vijnë.

Kur ishte më së rëndi, në luftë për liri, e bëri të pamundurën të mundur, kur ishte dhe është për të festuar, kurrë nuk harroj ata që sollën lirinë.

Edhe sot ne kujtojmë dhe përulemi para tyre: Lavdi përjetë!

Të nderuar qytetarë,

Ideali për liri dhe komb të pavarur dhe sovran për shqiptarët, ka filluar 142 vite me parë në Lidhjen e Prizrenit, pastaj në Vlorë në vitin 1912 dhe ka vazhduar ne këtë tokë të Drenicës, pa u ndalur edhe me 1913 me Ahmet Delinë, 1924 Azem Bejten, 1945 me Shaban Polluzhën dhe ka përfunduar po këtu në Skenderaj me 1999 me çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Shënimi i ditës se çlirimit në Skenderaj është përkushtimi ynë i vazhdueshëm për të nderuar të rënët tanë në luftën çlirimtare dhe betimi ynë për një të ardhme më të mirë për brezat që po vijnë.

Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare, një koncept të ri politik në të cilin do të zënë vend shteti i së drejtës, koncepti modern ekonomik në parimin djathtist të tregut dhe konkurrencës së lirë, ndryshimit të mençur, në të cilin shtet përbrenda lartësohen dhe përparojnë vlerat tona kombëtare.

Prandaj, edhe sot, e them se akti i çlirimit dhe pavarësisë nuk është i vetëmjaftueshëm e nuk mbahet gjallë vetëm me fjalë të zbrazëta.

Nuk mbahet me ideologji të çoroditura, me flamuj që mbahen lart në kohë fushate dhe gjuhën e ndarjes dhe urrejtjes kur të merret pushteti.

Ne kemi synim të qartë që të mbrojmë shtetin tonë me çdo kusht dhe të përpiqemi për të siguruar dhe garantuar të drejtat e shqiptarëve kudo qe ata janë.

Sepse, e kemi bërë këtë shtet, edhe kur nuk ka ekzistuar; kemi luftuar për të, jemi gjakosur edhe kur disa me të drejtë janë frikësuar; nuk e kemi ndërmend ta falim, por as ta lëmë ta nëpërkëmb askush.

Nuk kemi tokë për të dhënë, nuk kemi shtet për të mohuar. Kjo është shtëpia jonë e sigurt, jeta jonë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.

Koncepti ynë politik bazohet në idetë e reja dhe të domosdoshme, në përkushtimin e secilit për të përfunduar shtetndërtimin tonë me një qeverisje të PDK-së, e cila do të arrijë të shndërrojnë vendin tonë në një vend ku jeta e secilit qytetar do të jetë e kënaqshme për secilin, në të drejta dhe përgjegjësi.

Rimëkëmbja ekonomike, është vizioni ynë më i qartë dhe përkushtimi ynë kryesor.

Jemi në kohë të pandemisë globale. Njerëzit tanë janë të rrezikuar; ndërmarrësit e shkathët po na rrezikohen nga pamundësia të punojnë, mijëra familje po rrezikohen në të ardhurat e tyre mujore.

Qeveritë që po ndërrohen për teke dhe mashtrime, nuk guxojnë të sillen sikur asgjë s’ka ndodhur. Nuk guxojnë ta lënë sektorin tonë privat, ndërmarrësit dhe punonjësit nën mëshirën e fatit, por duhet të angazhohen me veprime konkrete që t’ju kthejnë besimin, për të vazhduar rritjen ekonomike në vendin tonë.

Si PDK, jemi të përkushtuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe vetëm për të. Por, edhe mund të flasim për secilën punë dhe ngjarje edhe të së djeshmes.

Nga nesër ne do të iniciojmë edhe nismat tona legjislative, të cilat do t’i shërbejnë shtetit të Kosovës, do të trajtojmë secilin preokupim të qytetarëve tanë, qe nga paslufta e deri më sot, këtë ua garantoj këtu.

Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mospunë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve.

E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptareve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pa kompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin ne OKB:

Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën!

Jam i lumtur që qytetarët po i kuptojnë këto kurthe dhe po i demaskojnë çdo ditë ato; nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit.

Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mund të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe!

Duhet punë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përgjegjësi për të çuar përpara amanetin e tribunëve të kombit tonë.

Me fjalë nuk do të ishte sot këtu e lartësuar shtatorja e heroit kombëtare Adem Jashari, as qindra heronjve tjerë. Dallon, shumë dallon ajo, fjala me veprimin, dija me mençurinë dhe guximi me vetëmohimin.

Pa këtë vizion, guxim dhe vetëmohim të heronjve të lirisë nuk do ta kishim shtetin e lirë, për aq sa edhe sot na duhet, është i domosdoshëm një vizion dhe vendosmëri e tillë në rrethana të reja.

Ne, PDK-ja, do të vazhdojmë përpara pa kompromis!

Përkushtimi ynë do të jetë edhe për një partneritet të qëndrueshëm me miqtë tanë ndërkombëtar, posaçërisht me SHBA-të, që Qeveria e shkuar i dëmtoj skajshmërisht, duke e rrezikuar edhe qenien shqiptare në Ballkan.

Ne edhe në kohë lufte kemi ditur më mirë se sot të ruajmë partneritetet e domosdoshme për vendin tonë.

Prandaj, shpejt në Kosovën tonë, me besimin e juaj të dashur qytetar, do të kemi një Qeveri e cila do të udhëhiqet nga PDK, për të ruajtur vlerat e lirisë, amanetin e heronjve, jetën e vlefshme dhe respektin për njeri-tjetrin, Skenderajn dhe Kosovën e zhvilluar, fuqinë e koalicionit të pandarë me SHBA-të dhe integrimin në NATO dhe BE.

Ne do t’i arrijmë këto, sepse kemi obligim në çdo ditë që e gëzojmë si jetë dhe përgjegjësi. Ne nuk kemi rruge tjetër, as qëllim, as shtëpi as jetë tjetër ku të jetojmë, pos në Kosovën tonë!

Skenderajt të heronjve dhe luftëtarëve, urime liria si dhe gjithë Kosovës!

2+