Kryetari Veseli në Mitrovicë: Qeveria të ndihmoj bizneset e sektorit privat me grante direkte

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot disa ndërmarrës në Komunën e Mitrovicës për të diskutuar për sfidat që kanë bizneset në kohë pandemie dhe mungesën e ndihmës nga qeveria lokale dhe ajo qendrore.

Kreu i PDK-së shprehu mirënjohje për ndërmarrësit të cilët me punën, talentin dhe kurajën e tyre sigurojnë dhjetëra mijëra vende pune.

Ai tha se PDK është aleate e natyrshme e bizneseve private që janë shtylla e zhvillimit të ekonomisë kosovare.

Kryetari Veseli tha se është për të ardhur keq që qeveria qendrore dhe lokale i ka neglizhuar dhe nuk iu ka ardhur në ndihmë bizneseve për të shpëtuar prej dëmeve të pandemisë.

Ja postimi i plotë i z. Veseli:

Sot vizitova Viprint dhe Mitrometal, dy kompani serioze të Mitrovicës që sikurse shumica e sektorit privat, janë dëmtuar rëndë nga pandemia. PDK-ja është aleate e natyrshme e bizneseve private sikurse janë këto dy sepse ata shërbejnë si motorë të zhvillimit dhe janë kontribuesit më të mëdhenj me taksa pêr buxhetin e shtetit. Shpreha mirënjohjen për pronarët e këtyre bizneseve, punëtorët e tyre të palodhur si dhe për gjithë sektorin privat të Kosovës që mban në këmbë ekonominë tonë.

Është për të ardhur keq që qeveria qendrore dhe lokale i ka neglizhuar dhe nuk iu ka ardhur në ndihmë për të shpëtuar prej dëmeve të pandemisë. Jo vetëm kaq por i penalizon me inspektorë që veprojnë në mënyrë arbitrare e vendosin gjoba të rënda të papërballueshme.

Ata kanë nevojë për më shumë fonde, subvencione, kredi të buta me grace period të gjatë si dhe për rritjen e konsumit të prodhimeve e shërbimeve vendore. Afrimi i dimrit e bën edhe më të rëndë situatën prandaj është e nevojshme që ata të ndihmohen konkretisht sa më shpejtë.

0