Kryetari Veseli kujton At Shtjefën Gjeçovin, i vrarë nga serbët 91 vjet më parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar At Shtjefën Gjeçovin, i cili në vitin 1929 ishte vrarë nga shovinistët serbë.

Z. Veseli kashkruar në rrjetin social se kryevepra e tij “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një nga arritjet më të mëdha të kulturës shqiptare.

Ja postimi i plotë i z. Veseli:

Sot kujtojmë vrasjen kriminale të njërës prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, At Shtjefën Gjeçovin. Ai luftoi si pak të tjerë kundër përpjekjeve shkombëtarizuese e asimiluese ndaj popullsisë e kulturës shqiptare dhe për të ndalur këtë veprimtari të tij patriotike u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në Zym të Hasit.

Ai jo vetëm që ka qenë veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, shkrimtar, përkthyes, arsimtar i hershëm i shkollës shqipe dhe udhëheqës shpirtëror por mund të konsiderohet edhe si themelues i etnografisë e arkeologjisë shqiptare. Kryevepra e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është një nga arritjet më të mëdha të kulturës shqiptare por edhe dëshmi e pomohueshme e lashtësisë dhe vazhdimësisë së traditës shqiptare në trojet tona.

0