Veseli: S’e votoj Kurtin kryeministër, nuk i besoj se është i sinqertë në ato që ka promovuar

Zona e Debatit – (O)Pozita e PDK-së – 26.12.2019 – Klan Kosova

Zona e Debatit – (O)Pozita e PDK-së – 26.12.2019 – Klan KosovaKadri Veseli – Kryetar i PDK-sëFaton Abdullahu – PublicistJeta Krasniqi – KdiArton Demhasaj – "Çohu"Ismail Tasholli – Studiues i filozofisë

Posted by Kadri Veseli on Thursday, December 26, 2019

Kreu i PDK-së Kadri Veseli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku u zgjodh kryeparlamentar Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Në një intervistë në Zona e Debatit të Klan Kosovës, Veseli tha se nuk u befasua nga ky veprim, përderisa pati kritika për negociatat për marrëveshjen në mes të LDK-së dhe VV-së.

“Nuk u befasova për faktin se kemi pasur një proces zgjedhor, një rezultat zgjedhor. Ka qenë i tillë verdikti i qytetarëve dhe pas certifikimit të rezultatit zgjedhor kemi ardhur tek një moment kur është dashur të zgjedhet Kryetari i Kuvendit dhe shpresojmë që të formohen institucionet sa më shpejt”.

“Zgjedhja sot e Kryetarit të Kuvendit ishte proces legal dhe në aspektin kushtetues është në rregull. Por mënyra dhe gjerat që po na dalin tash nuk janë shumë pozitive dhe nuk janë korrekte”.

“Gati dy vjet u promovua ky koalicion dhe tre muaj pas zgjedhjeve s’ka asgjë. Kjo është më tepër se sa mashtrim, është tradhti. Ky është fillimi i dëshpërimit të qytetarëve. Kjo për faktin se tash po del se s’ka marrëveshje, po del se kanë dalë në pikën zero – se të gjitha ato qe i kanë trumpetuar ishin për përfitim elektoral”.

Veseli tha se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk diskutuan mbi temat dhe parimet, po se u morën me ndarje të posteve.

“Tre muaj ditë çdo bisedë që e kanë bërë ishte merr dhe jep.  Koalicioni i tyre është merr-jep.  “Jo po ta jap një ministri më shumë, jo presidentin, jo drejtorin e AKI-së apo drejtorin e Policisë”.

Ai shtoi se VV dhe LDK nuk janë të gatshme të qeverisin me vendin dhe të përballen me sfidat që e presin Kosovën.

“Vetëvendosje ka shkuar drejt rrugës taktikisht që të mos marrë përgjegjësi duke menduar se përmes saj përfiton kohë, duke akuzuar dhe në të njëjtën kohë me i shiku sondazhet ndoshta po fiton. Ky është koncepti i Vetëvendosjes. Lëvizja Vetëvendosje për aq kohë sa ka turbullira ka me qëndru”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se si opozitë pret që partitë fituese ta krijojnë Qeverinë, derisa ka insistuar se partia e tij do të bëjë opozitarizëm në të mirë të Kosovës.

“Unë bart një qëndrim politk sa unë jam në opozitë. Ne jemi duke pritur që të kemi një proces normal demokratik. E kemi pasë procesin zgjedhor të mirë, ka dalë rezultati zgjedhor dhe këto dy partitë që kanë fituar duhej të merreshin vesh – dy vite kanë qenë duke e promovuar koalicionin, tash tre muaj çdo ditë e kanë promovuar marrëveshjen”.

“Do të jetë opozitë reale – e fortë, e mirë dhe në të mirën e Kosovës”.

Por, a ka skenar PDK-ja që ta votojë Qeverinë duke qenë në opozitë?

“Nuk mund të votosh diçka kur me vetëdije e sheh je duke e çuar vendin në kolaps. Vendimmarrja që ka ndodh sot, pa marrëveshje, bart rrezik të një drejtimi që e fut Kosovën në një krizë në mënyrë anarkike”.

“Ne kemi mundur ta bëjmë këtë në vitin 2014, kemi mundur ta kryejmë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, ashtu siç është e specifikuar në Kushtetutë, e përcakton partia ose koalicioni fitues”.

Veseli në Zona e Debatit në Klan Kosova nuk ka folur specifikisht për skenarët që mund të ndodhin në situatën politike që është krijuar.

Por, ai ka thënë me siguri se “asnjë pozicion i PDK-së nuk do të jetë që mund të jetë akrobatik traumatizues, imoral  dhe që nuk e bart një histori në të cilën kemi kaluar”.

“Unë u kam thënë para zgjedhjeve ‘mos bëni ‘kryqa’ ndaj shqiptarëve’, sepse në politikë çdo herë ia ke nevojën tjetrit. E kam parë se është bërë modë sepse po e shohin se mund të fitojnë më lehtë te qytetarët përmes këtij polarizimi”.

“E kam vërejtur kur flisnim në Kuvend në rrethana normale, derisa kur futeshim në sallë të Kuvendit i njëjti njeri fillonte ‘Ah, SHIK-u’ me idenë se po fitojnë”.

“Jemi në një situatë të tillë të cilën e kanë mbjellë vet, po e korrin vet edhe le të shkojnë tash. Kjo është arsyeja pse e kam marrë edhe vendimin e asaj nate që kalojmë në opozitë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se që nga fillimi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë përdorur taktika, por që në fund Albin Kurti përfitoi.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, ai ka thënë Lëvizja Vetëvendosje synon që ta gjunjëzojë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“VV dhe LDK që nga fillimi kanë përdorur taktika. Në këtë rast Kurti u tregua më i gjindshëm dhe përfitoi”.

“Kurti e bëri një kalkulim për të përfituar. Unë besoj se të gjitha këto që po ndodhin kanë qenë të papritura për ne, por jo për Kurtin dhe Mustafën. Ajo çfarë po shoh është një taktikë. Kurti nuk mërzitet për kolapsin social – ai pa qenë në pushtet do të përfitojë një ngritje”.

“Mirëpo sa i përket LDK-së, mirë ja ka bërë sepse tre muaj para se të shkojmë në zgjedhje më thoshte mua ‘na tradhtove’. Tash LDK e di çka është tradhtia”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka treguar se me cilin subjekt politik do të bënte koalicion nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, ai ka thënë se do të hynte në koalicion me secilën parti që do të mendonte për të mirën e vendit.

“Me besimin e qytetarëve do të hyja në koalicion me secilin që do të mendoja se do ta bëja një ditë më të mirë qytetarin e vendit tim”.

“Pikësëpari do ta demaskoja Aleksandar Vuçiqin që është krijuar përshtypja për të kinse është lider i mirë dhe i fuqishëm”.

“Gjithashtu në Kosovë duhet të ketë stabilitet përndryshe nuk do të ketë zhvillim ekonomik. Nuk do të ketë investime në Kosovë nëse nga PDK dalin 20 vetë dhe rrotullojnë kamionë me mallra”.

“Ndërsa koalicion do të bëja me secilin – pa emër – nuk i vendosi kryq. Kryqi u vendosi vetëm atyre që spekulojnë gjëra të paqena”.

“Gjatë fushatës unë nuk kam akuzuar askënd. Kush është i korruptuar e kush jo mbetet të shihet. Në PDK nuk do të ketë njerëz me përgjegjësi që kanë aktakuzë. Nuk vijnë investitorët kur s’ka stabilitet ekonomik”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se përkrahësit e Albin Kurtit do të zhgënjehen shumë me kalimin e kohës.

“Po kthjellohen gjërat edhe më shumë kur Albin Kurti ta merr qeverinë, se duhet ta merr. Kanë me u zhgënjye idealistët e VV-se atë çka ka promovua vet. Idealistët e VV-së ka me ardhur  puna me i gjuajt me gurë e me vezë këta të vet. Çka i duhet takimi me Gjuriqin? Një patrioti që në kohën kur Serbia mohonte krimet në Reçak dhe Kosovë”-tha Veseli.

Veseli përmendi edhe një detaj të rëndësishëm gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Albini në seancë ka tentuar me mbajte larg flamurin kuq e zi. Duke u frikësuar me praninë e mediave ndërkombëtare dhe komentet e tyre për veprimin e tij.”

Kreu i PDK-së foli edhe për pritshmëritë për vitin e ri 2020.

“Do të jetë viti më vendimtar për Kosovën. Ose do të hyjmë në vitin me perspektivë ose hyjmë në konflikt me njëri tjetrin. Besoj se do të dalim të suksesshëm. Bashkimi Evropian duhet të ia jep Kosovës liberalizimin e vizave. Ne duhet ti kryejmë detyrat tona. Ne e kemi një problem të madh në mes vete, e sakatosim njëri tjetrin ” tha Veseli.


0