KRYETARI VESELI: DITA E SOTME T’I HAPË RRUGË KRIJIMIT TË INSTITUCIONEVE

Posted by Kadri Veseli on Thursday, December 26, 2019

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, para mediave i falënderoi deputetët për bashkëpunim gjatë dy mandateve dhe potencoi se konstituimi i sotshëm i Kuvendit të Kosovës, është një shpresë që të hapet rrugë për krijimin e institucioneve të reja.

“Kam qenë dy mandate kryetar, i uroj të gjithë qytetarëve tanë këtë konstituim, shpresojmë që dita e sotshme, shpresojmë që dita e sotme do t’iu hapë rrugë krijimit të institucioneve, siç është Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne jemi shtet i ri, jemi demokraci e re parlamentare, rrotacionet demokratike janë normale. Ajo çka është kryesore, qytetarët nuk duhet t’i polarizojmë mes vete. Në të njëjtën kohë nuk duhet të krijojmë kriza artificiale, të cilat mund ta vënë në krizë sociale qytetarin tonë, siç është marrja e pagave në shkurt e mars të vitit të ardhshëm”, ka thënë z. Veseli.

Ai gjithashtu ka uruar qytetarët për festat e fundvitit.

0