Kadri Veseli: Albin Kurti as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para deputeteve në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë. 

Veseli ka renditur disa të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët në këtë ditë.

“E vërteta e parë, është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar. E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtu mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ti ke protestuar kundër gjithÇkaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës. Ke sulmuar policët më të mirë dhe institucionet e Kosovës”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së i shtroi pyetje Albin Kurtit, duke e pyetur se a do ta luftojë Serbinë me këtë qeveri, apo ushtarët e UÇK-së përmes Gjykatës Speciale?

“Sepse, ti dhe gjysma e ministrave tu gjithmonë keni kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës. Si është e mundur që asnjë patrioti nuk i bëre vend në kabinetin qeverisës? I eliminove edhe në Kuvend”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së ka paralajmëruar nismat kryesore që do t’i iniciojë PDK në Kuvend.

“Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë përgjegjësi për temat më të ndjeshme të Kosovës, që nga paslufta. Do t’i hapim dhe diskutojmë këtu krejt marrëveshjet e arritura në dialog, për ta mësuar të vërtetën a ka tradhti a jo? Nëse ti shkon në dialog pa kërkuar falje Serbia, pa u kthyer eshtrat e secilit shqiptar, siç ke premtuar, a je tradhtar a jo? Do të flasim për taksën e vendosur ndaj Serbisë. A do ta heqësh ti apo jo? Do të flasim për të gjitha pasurimet në Kosovë, privatizimet dhe tenderimet. Do të flasim për krimet e komunistëve jugosllavë mbi shqiptarët në Kosovë. Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion.

Do të flasim edhe për UÇK-në, edhe për SHIK-un. Do të flasim edhe për sulmet terroriste të “Syrit të Popullit”, mbi individë, familje dhe institucione. Do të flasim për të gjitha që duhet, e mbi të gjitha edhe për vrasjet politike, me të cilat shpesh është abuzuar me tragjeditë e tyre në kohë fushatash”, tha Veseli, duke përfunduar edhe me një propozim temë që tha se do ta flasin.

“Do të flasim edhe për diçka tjetër, Albin. Para qytetarëve të Kosovës do të japësh përgjegjësi si kreu i organizatës terroriste Syri i Popullit”, deklaroi Veseli. 

Kryetari i PDK-së ka thënë se koalicioni VV-LDK do jetë koalicion i pazareve dhe nuk do të merr asnjë vendim të mirë për Kosovën.

Ai tha se PDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve,

“Do të jemi kujdestarë për çdo të mirë e të keqe që i vjen vendit tonë. Nuk do të lejojmë ta cenojë askush lirinë e pavarësinë e vendit tonë, dhe as të preken interesat kombëtare. Është vullneti i popullit, që po na përcjell sot. Është besimi i votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe mbi të gjitha, ky është amaneti i shokëve tonë të vrarë në luftë. Në fund të fundit, kjo është Kosova jonë dhe nuk do të guxojë askush dhe në asnjë vend ta tjetërsojë Kosovën e UÇK-së”, tha Veseli.

Fjalimi i plotë i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Sot po votohet me katër muaj vonesë Qeveria e re.

Që nga 6 tetori, ne jo vetëm që nuk pamë përpjekje serioze prej dy partive për ta bërë Qeverinë, por e kuptuam se si do të duket qeverisja tani e tutje.

Një qeverisje e ortakëve, që nuk flasin për parime e programe, por flasin për karrige dhe pushtet; nuk mendojnë për qytetarë dhe shtet, por vetëm për vete dhe njerëzit e vet.

Vetëvendosje dhe LDK zhgënjyen qytetarët, ende pa ia nisur.

Por, megjithatë, është mirë kjo që po ndodh sot dhe që unë e kam kërkuar zëshëm pas 6 tetorit – se partia e parë duhet ta bëjë Qeverinë.

Sot është ditë e veçantë, sepse tash e tutje do t’i kemi dy të vërteta që përballen me njëra-tjetrën.

Është e vërteta e Kosovës përballë asaj të Albin Kurtit.

Dhe e vërteta e parë dhemb shumë. Është e patjetërsueshme dhe është kokëfortë.

Ne erdhëm këtu, duke luftuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, kurse Albin Kurti, kur ishte koha ta luftojë Serbinë, nuk e luftoi, u dorëzua. Por, kur erdhi paqja dhe shteti i lirë i Kosovës, ai e  përbuzi, përdhosi dhe e luftoi atë ma vrazhdë se Serbinë ndonjëherë.

Prandaj, unë sot do të flas vetëm për të vërtetën tonë, e cila është e vërteta e Kosovës.

E vërteta e parë, është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar.

Sot, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga shumica e botës demokratike.

Sot, Kosova ka buxhet pothuajse 4 herë më të madh sesa para shpalljes së pavarësisë.

Sot, Kosova ka ushtri dhe polici, ndër më të mirat në rajon.


Sot, Kosova ka media profesionale dhe shoqëri civile të lirë dhe shumë aktive.

Sot, Kosova ka stabilitet të lakmuar makroekonomik dhe makrofinanciar. Me borxhin publik më të ultin në rajon.

Sot, Kosova është NJË,  ka sovranitet, kontroll mbi kufijtë, ka institucione të pavarura, flamur e kombëtaren e saj të futbollit.

Sot, Kosova ka edhe shumëçka tjetër të arritur me shumë mund.

Pa dyshim, ka edhe shumë gjëra që duhen bërë në këtë Kosovë. E besa të tjera gjëra që duhen bërë edhe më mirë, pa gabime!

Ne nuk kemi qenë të përkryer. Por, nuk i kemi ikur kurrë përgjegjësisë.

E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtu mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës.  

Ti ke protestuar kundër gjithckaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës. Ke sulmuar policët më të mirë dhe institucionet e Kosovës. 

Ndërsa sot po kërkon të bëhesh Kryeministër i kësaj Kosove që e quaje të dështuar. 

Ti e përqeshje dhe përbuzje flamurin e Kosovës.

Por kur erdhi dita jote për pushtet, ti e harrove dhe e përbuze edhe flamurin e gjakut kombëtar.

Por, sot po i përdor këta flamuj për lojërat tua politike. Sepse egoja jote është mbi çdo flamur dhe sakrificë.

Prandaj, u bëre flamurtar i marrëzisë tënde.

Ti akuzove kundërshtarët e tu politikë, disa prej të cilëve ishin themelues të UÇK-së, ishin familje të heronjve, si tradhtarë kur shkuan në Bruksel për shtetin / Dialog.

Por, sot ke pranuar gjithçka dhe po i tradhton të gjitha fjalët tua.

Për shumë akuza e sulme këto vite ne kemi heshtur.

Dhe a e dini pse?

Sepse, kemi dashur ta ruajmë Kosovën!

Kemi mbyllur njërin sy dhe jemi kujdesur për qytetarët tanë dhe për këtë shtet të ngritur me mund e sakrifica.

Ndërsa ti ke përfituar dhe abuzuar në këtë heshtje tonë secilën herë veç për veti.

Por, nga sot – NE NUK DO TË HESHTIM.

Jo vetëm që do të mbash përgjegjësi ti dhe kasta jote partiake dhe qeveritare, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat tuaja të deritashme nuk do të heshtet më.

Dhe pikërisht sot të kërkoj t’u tregosh qytetarëve të Kosovës për çfarë e ke këtë Qeveri me këtë përbërje?

A do ta luftosh Serbinë me këtë Qeveri, apo neve përmes Gjykatës Speciale?

Sepse, ti dhe gjysma e ministrave tu gjithmonë keni kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës.

Si është e mundur që asnjë patrioti nuk i bëre vend në kabinetin qeverisës? I eliminove edhe në Kuvend.

E vërteta e tretë, është se nuk do të jemi paragjykues, por do të jemi të pakompromis.

Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë përgjegjësi për temat më të ndjeshme të Kosovës, që nga paslufta.

– Do t’i hapim dhe diskutojmë këtu krejt marrëveshjet e arritura në dialog, për ta mësuar të vërtetën a ka tradhti a jo?

– Nëse ti shkon në dialog pa kërkuar falje Serbia, pa u kthyer eshtrat e secilit shqiptar, siç ke premtuar, a je tradhëtar a jo?

– Do të flasim për taksën e vendosur ndaj Serbisë. A do ta heqësh ti apo jo?

– Do të flasim për të gjitha pasurimet në Kosovë, privatizimet dhe tenderimet.

– Do të flasim për krimet e komunistëve jugosllavë mbi shqiptarët në Kosovë.

– Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion.

– Do të flasim edhe për UÇK-në, edhe për SHIK-un.

– Do të flasim edhe për sulmet terroriste të “Syrit të Popullit”, mbi individë, familje dhe institucione.

– Do të flasim për të gjitha që duhet, e mbi të gjitha edhe për vrasjet politike, me të cilat shpesh është abuzuar me tragjeditë e tyre në kohë fushatash.

– Do të flasim edhe për diçka tjetër, Albin! Para qytetarëve të Kosovës do të japësh përgjegjësi si kreu i organizatës terroriste “Syri i Popullit”. 

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Ky koalicion do jetë koalicion i pazareve dhe taksirateve të këtyre pazaregjinjeve dhe asnjë vendimi të mirë për Kosovën!

Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës do ta mbrojmë çdo pjesë të vendit tonë.  

Do ta ndihmojmë dhe ruajmë çdo qytetar! Do të jemi kujdestarë për çdo të mirë e të keqe që i vjen vendit tonë.

Nuk do të lejojmë ta cenojë askush lirinë e pavarësinë e vendit tonë, dhe as të preken interesat kombëtare.

Është vullneti i popullit, që po na përcjell sot.

Është besimi i votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe mbi të gjitha, ky është amaneti i shokëve tonë të vrarë në luftë.

Në fund të fundit, kjo është Kosova jonë dhe nuk do të guxojë askush dhe në asnjë vend ta tjetërsojë Kosovën e UÇK-së. 2 Anhänge

2+