Bytyçi, PDK: Arritëm konsensus politik për ligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Prishtinë, 27 korrik 2020- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mbajtur sot tryezë diskutimi për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, i cili është iniciuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në legjislaturën e kaluar.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Gazmend Bytyçi ka ftuar në tryezë përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare dhe përfaqësuesit e Organizatave të luftës së UÇK-së, ku pas diskutimeve kanë arritur konsensus të plotë për ta mbështetur miratimin e projektligjit.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm përfaqësues të Grupeve Parlamentare nga Vetëvendosje, LDK, AAK dhe 6+.

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, pasi i falënderoi përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare dhe përfaqësuesit e Organizatave të luftës së UÇK-së, tha se qëllimi mbajtjes së kësaj tryeze diskutimi është unifikimi i skenës politike për nxjerrjen e një ligji sa më të mirë për vlerat e luftës.

“Jemi në një tryezë bashkëbisedimi për ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës. Siç e dini, ky ligj është iniciuar në vitin 2018, nga kryetari i Parlamentit të asaj kohe, z. Kadri Veseli. Me ndryshime të qeverisë së atëhershme, ky ligj ka mbetur pa kaluar nëpër procedura dhe pa u miratuar. Si të tillë, me datën 27 prill të këtij viti, në emër të grupit parlamentar të PDK-së e kemi ri iniciuar këtë ligj dhe tani jemi në fazën e punimit dhe draftimit të këtij ligji. Arsyeja e kësaj tryeze është që ne si përfaqësues të partive politike së bashku me shoqatat e dala nga lufta të gjejmë formën e modalitetin më të mirë se si ta trajtojmë këtë ligj. Me aq sa shihet, ekziston një vullnet për një unitet të madh politik që këtë ligj ta trajtojmë pa dallime politike”, ka thënë ai.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, e cila është edhe kryetare e Komisionit Funksional Parlamentar për trajtimin e këtij projektligji, tha se e mbështesin miratimin e tij dhe do të japin kontributin e tyre edhe si Komision por edhe si parti politike në mbështetje të tij.

“Në kuadër të komisionit të Arsimit, ka ardhur ky projektligj që të shqyrtohet në komisionin tonë dhe gjithë anëtarët e komisionit kanë përkrahur unanimisht këtë ligj. Pa hezitim do të japim kontributin tonë që të pasurojmë këtë ligj me propozimet tona si LDK dhe ky projektligj do të ketë përkrahjen tonë të pa rezervë në Kuvend po sa të përpilohet dhe të vihet në votim”, ka thënë ajo.

Nga ana e tij, edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se hartimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës është i domosdoshëm.


“Ligj i veçantë për kategori të veçanta. Është mirë që sot bashkërisht do të punojmë dhe t’i japim qëndrimet tona dhe besoj që do të bëjmë një ligj që do t’i mbrojë kategoritë e shenjta të luftës së UÇK-së”, ka thënë Jashari.


Të pranishmit në tryezë u zotuan se do ta votojnë me unanimitet të plotë ligjin për vlerat e luftës dhe ndërmjet dy leximeve në Komisionin Funksional do të japin kontributet e tyre me amendamente në leximin e dytë.

3+