Kryetari Veseli për Ditën e Flamurit: Të bashkuar në solidaritet, shqiptarët do t’ia dalin ta kapërcejnë këtë katastrofë

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, sot për Festën e Flamurit ka vizituar arbëreshët e Kalabrisë.

Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se së bashku me ta janë lutur për ata që humbën jetën në Shqipëri si pasojë e tërmetit.

Ai ka thënë se të bashkuar në solidaritet shqiptarët do t’ia dalin ta kapërcejnë këtë katastrofë.

“Këtë ditë të shënuar të Festës së Flamurit e kalova në mesin e arbëreshëve të Kalabrisë ku edhe i ka rrënjët Rilindja jonë Kombëtare. Së bashku me ta u lutëm për shpirtrat e vëllezërve e motrave që humbën jetën në Shqipëri si pasojë e tërmetit dhe uruam që të lënduarit të shërohen sa më shpejt. Ajo ngjarje e tmerrshme ka tronditur e prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë. Po ashtu, të bashkuar në solidaritet si rrallëherë ne shqiptarët do ia dalim ta kapërcejmë këtë katastrofë dhe të rikthejmë normalitetin për të gjithë qytetarët e prekur. Zoti ndihmoftë dhe bekoftë kombin shqiptar në këto kohë të vështira”, ka shkruar ai.