Kryetari Veseli takon zëvendës shefin e misionit vëzhgues të BE-së – flasin për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim zëvendës shefin e misionit vëzhgues të BE-së, Marian Gabriel.

Në këtë takim që u zhvillua në Zyrën e liderit të PDK-së, u fol për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë.

Pas këtij takimi, Kryetari Veseli ka shkruar në Facebook se me zëvendës shefin e misionit vëzhgues të BE-së ka diskutuar edhe për sfidat që e kanë përcjell procesin zgjedhor në Kosovë.

“Me zëvendës shefin e misionit vëzhgues të BE-së, z. Marian Gabriel, diskutuam përgjithësisht për procesin zgjedhor, si për mbarëvajtjen ashtu dhe për sfidat që e kanë përcjellë. Presim përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi pasi që qytetarët e Kosovës duhet t’i kenë adresat për nevojat e tyre”, ka shkruar z. Veseli në rrjetin social, fb.