Kadri Veseli: Drejtësia dhe e vërteta janë në anën tonë

10 Dhjetor 2019

Kryetari i PDK-së dhe njëherit kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është intervistuar rreth tri orë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës, në Hagë, pas intervistimit, ka cekur se “Lufta e UÇK-së ka qenë një përballje me tendencën e regjimit serb për spastrim etnik”.

“Siç edhe kam premtuar publikisht, unë i jam përgjigjur pozitivisht ftesës për intervistim. Sot e kam pasë intervistën dhe e kam përfunduar. Nuk dua të flasë specifikisht për çështje të intervistës sepse nuk është korrektësi”, potencoi z. Veseli.

“Lufta e UÇK-së ka qenë një përballje me tendencën e regjimit serb për spastrim etnik. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe substancën tonë kombëtare. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse e ka pasë edhe përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë për të arritur edhe intervenimin e NATO-s dhe liria e Kosovës”.

“E vërteta e Kosovës dhe e drejta është shumë e qartë. Drejtësia dhe e vërteta janë në anën tonë. Ne si komb duhet të jemi sa më të bashkuar në mënyrë që të shohim përpara në perspektivën tonë dhe sfidat që i kemi përpara”, ka theksuar z. Kadri Veseli.

“Unë jam një nga njerëzit e parë të UÇK-së, një nga themeluesit e UÇK-së. Jam ftuar për intervistim dhe i jam përgjigjur intervistimit të Dhomave të Specializuara. Kaq do të ishte më korrektja të flasim në një ambient të tillë për vet faktin se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e popullit të Kosovës për drejtësi, liri dhe pavarësi”.

“Ne i jemi kundërvënë gjenocidit serb. Krenaria është për çdo luftëtar të lirisë, për aq sa është edhe përgjegjësia që ta çojmë vendin tonë përpara”.

“Unë jam tepër korrekt te Zoti dhe te njeriu, në çdo aspekt”.

Ai në Info Magazine ka thënë se gjenocidi serb në Kosovë ekziston edhe në dokumente u shpreh i bindur se kjo gjë nuk duhet harruar kurrë, njofton Klan Kosova.

“Duhet të ketë paqe. Nuk ka vend për pesimizëm sepse kjo vetëm se ka filluar dhe ka dy-tri vite. Kjo do të arrihet kjo inciativë nga Kosova. Ajo që shoh unë në Kosovë është se ka shumë opitimizëm në të ardhmen tonë. Paqe do të ketë me çdo shtet fqinj që kemi për arsye se Kosova nuk promovon politika të konfliktit, por nuk do të ketë harresë”.

Veseli për deklaratën e kandidatit potencial për kryeministër, Albin Kurtit, se nuk do t’i dorëzojë luftëtarët e UÇK-së para Gjykatës Speciale tha se nuk do ta komentojë në këtë moment, por se po t’i ishte bërë pyetja në Prishtinë, ai tha se e di si do të shkojë edhe kjo punë.

“Nuk do të ishte korrekte të interpretoj diçka tani. Ajo çka ne të gjithë duhet të bëjmë është se nuk duhet të ndërrojmë qëndrimet tona edhe kur jemi ngushtë edhe kur s’jemi, edhe kur je opozitë edhe kur jemi pozitë. Duhet të kemi korrektësi sepse është lehtë të mashtrosh popullin tënd në një rrethanë të caktuar”.

“Ne si shtet i pavarur duhet t’i shkojmë deri në fund çdo gjëje sepse jemi shtet sovran dhe nuk duhet t’i frikësohemi asgjëje për faktin se e vërteta është në anën tonë”.

“Ajo çka duhet të fokusohemi është që të angazhohemi për këtë të vërtetë dhe ta mbrojmë. Krejt kjo lidhet me një gjë që fëmijët tonë të kenë perspektivë dhe të ndihen të sigurt dhe këtë e kanë kur shteti i Kosovës është i integruar në mekanizma ndërkombëtarë dhe kur të ka zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe shtet ligjor”.

“Kjo nuk varet nëse je në pozitë apo opozitë. Është e pandershme që të mbash qëndrime që mund të ndërlidhen nga momentumi yt ose nga një frikë e caktuar. Kush ka frikë do të vdesë frikacak dhe kush është në anën e drejtësisë do të jetë gjithmonë ashtu”.

“Besoj në kombin tim dhe në vlerat e tij dhe i respektoj kombet tjera. Nuk shoh më luftë me Serbinë dhe shpresoj që kurrë të mos ndodhë”, ka theksuar kryetari Kadri Veseli.

0